
Blerja e 51 autobusëve të rinj do të rezultojë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të transportit urban, përmbushjen e standardeve mjedisore dhe rritjen e efikasitetit operacional në qytet
Flota e re e autobusëve do të ndikojë në përmbushjen e standardeve mjedisore dhe rritjen e efikasitetit operacional në qytet
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) është duke ndihmuar në përmirësimin e transportit urban në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, përmes një investimi të konsiderueshëm prej 10 milion Euro për modernizimin dhe blerjen e një flote të re të autobusëve. Ky është investimi i parë i BERZH-it në nivelin komunal në Kosovë.
Me popullsi prej afërsisht 200,000 banorëve, Prishtina është qyteti më i madh në Kosovë dhe zhvillimi i transportit urban është jetik për shkak të rritjes së shpejtë të popullsisë. Aktualisht, transporti urban në Prishtinë mbulohet nga një flotë e vjetër dhe shpesh jo efektive e autobusëve, gjë që rezulton me nivele të larta të ndotjes dhe cilësi të dobët të ajrit në kryeqytet.
Investimi i BERZH-it do të përmirësojë përmbushjen e standardeve mjedisore, cilësinë e shërbimit dhe efikasitetin operacional, ndërsa projekti mbështetet nga Qeveria e Kosovës, si garantuesi kryesorë i kredisë.
Fondet nga BERZH-i do t’i transferohen Trafikut Urban, që është ndërmarrje publike e transportit urban në pronësi të Komunës së Prishtinës, dhe do të shfrytëzohen për blerjen e 51 autobusëve të rinj dizel që i plotësojnë standardet EURO-VI të emetimit të ndotësve. Këta autobusë do të reduktojnë në masë të konsiderueshme nivelin e ndotjes së ajrit dhe zhurmës dhe do të përmirësojnë cilësinë e shërbimeve në qytet. Ky investim gjithashtu do t’i mundësojë kompanisë së transportit urban që t’i plotësojë standardet operacionale sipas kërkesave të BE-së dhe do të kontribuojë në komercializimin e sektorit të transportit urban në Prishtinë.
Ky projekt realizohet falë edhe një donacioni nga Republika Çeke për të ndihmuar në përgatitjen dhe zbatimin e projektit si dhe zhvillimin e një plani të qëndrueshëm të mobilitetit për Prishtinën. Plani i mobilitetit urban ka për qëllim rritjen e pjesëmarrjes së sektorit privat në planifikimin e transportit.
“Ky është një projekt i rëndësishëm – projekti ynë i parë me BERZH-in dhe qytetin e Prishtinës – dhe një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të një plani më gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm të mobilitetit urban për qytetin e Prishtinës. Projekti do të sjellë shumë përfitime për banorët e Prishtinës sa i përket rritjes së cilësisë së shërbimeve, cilësisë së ajrit dhe reduktimit të zhurmës,” tha Avdullah Hoti, Ministër i Financave të Kosovës.
“Ky është një projekt i rëndësishëm për BERZH-in, Qeverinë dhe Trafikun Urban. Ne jemi krenar që jemi pjesë e transformimit të Prishtinës. Përmes këtij projekti, BERZH-i është duke ndihmuar qytetin që të lidhë kontrata për shërbime publike të bazuara në performancë, dhe të rrisë pjesëmarrjen e sektorit privat”, shtoi Elena Petrovska, udhëheqëse e BERZH-it në Kosovë.
“Jemi krenar që punojmë me BERZH-in në modernizimin e ndërmarrjes tonë. Ne besojmë se si rezultat i këtij projekti, do të jemi në gjendje që t’i rrisim standardet tona operacionale dhe ta ndihmojmë Prishtinën, qytet ky i përkushtuar për inovacion dhe infrastrukturë moderne komunale, që të shndërrohet në qytet “më të gjelbër”, konkludoi Halil Mustafa, Kryeshefi i Trafikut Urban.
Modernizimi i flotës së autobusëve të Prishtinës është projekti i parë komunal i BERZH-it në Kosovë dhe projekti i parë i financuar në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar ndërmjet BERZH-it dhe Qytetit të Prishtinës në Mars 2015. Në kuadër të këtij Memorandumi të Mirëkuptimit janë identifikuar fushat e bashkëpunimit që janë, shërbimet e transportit urban, të ujësjellësit dhe të kanalizimit, menaxhimi i mbeturinave të ngurta, ndriçimi i rrugëve dhe përmirësimi i efikasitetit të energjisë.
BERZH-i ka filluar të investojë në Kosovë në vitin 1999. Deri më tani, BERZH-i ka nënshkruar 46 projekte me shumë të përgjithshme neto prej më shumë se 180 milion Euro. Kosova është bërë anëtare e BERZH-it në Dhjetor 2012.